Skenari i largimit të Elseid Hysajt nga Napoli është rikthyer sërish. Menaxheri i futbollistit të Kombëtares sonë Mario Giuffredi deklaroi se ndihet i zhgënjyer me sjelljen e Ancelottit, i cili edhe pse nuk ka lejuar largimin e 24-vjeçarit, e uli në stol në takimin e fundit ndaj Bolonjës.
“Verën e kaluar, ai (Elseid Hysaj) mund t’i ishte bashkuar Chelseat dhe Maurizio Sarrit, por Ancelotti bllokoi në fund transferimin e tij në Londër. Tani, sidoqoftë, kemi parë që Hysaj ka luajtur vetëm në një nga katër ndeshjet e fundit. Ndoshta ai nuk është aq i rëndësishëm për teknikun; nëse kjo është e vërtetë, ai le të na e thotë. Atëherë ne do të largohemi dhe nuk do të shqetësojmë me prezencën tonë”, deklaroi menaxheri i Hysajt.