Humbja prej 4-1 ndaj Turqisë në “Loro Boriçi” ia ka lëkundur karrigen trajnerit të Kosovës, Albert Bunjaki, i cili duket se i ka ditët të numëruara në stolin e Kombëtares.
“Ne nuk mund ta ndryshojmë identitetin tonë, ky është ekipi që kemi, ekip sulmues dhe do të bëjmë lojë të hapur”, kishte thënë Bunjaki kur Kosova pësonte shumë gola, por duke bërë paraqitje më të mirë se ajo mbrëmë.
Ndaj Turqisë, Bunjaki la në stol disa yje, kësaj radhe duke dalë edhe kundër fjalëve të tij, i cili bëri lojë më shumë defensive dhe sërish pësoi katër gola.
Ai la në stol ndaj Turqisë lojtarët kryesorë të skuadrës me të cilët ka luajtur pothuajse në pesë ndeshjet e mëparshme, Milot Rashica, Herolind Shala dhe Fanol Përdedaj.
18 gola të pësuar, vetëm tre të shënuar, ky është bilanci i Bunjakit me Kosovën në këto gjashtë ndeshje, i cili duket se i ka ditët të numëruara në stolin e Kombëtares.
Kosova renditet e fundit në Grupin I me një pikë, atë që cilësohet tashmë si historike e marrë në sfidën e parë ndaj Finlandës.