Kombëtarja holandeze ka nisur rinovimin nëpërmjet mbylljes së një cikli të mbushur plot me lavdi dhe suksese, por që në vitet e fundit e humbi ndjeshëm shkëlqimin e tij.
Ueslli Shnajder ka luajtur sot ndeshjen e tij të fundit me Kombëtaren tulipane në miqësoren e fituar 2-1 kundër Perusë në Amsterdam. Ish-lojtari i Inter u zëvendësua në minutën e 62-të takimit, i nderuar nga i gjithë stadiumi “Johan Krojf”, duke i dhënë kështu lamtumirën skuadrës së vendit të tij. Me Holandën 34-vjeçari zhvilloi 134 ndeshje duke shënuar 31 gola.
Nuk dihet nëse edhe ikona tjetër holandeze Arjen Roben do të pasojë në këtë revolucion, me sulmuesin e Bayern që nuk është thirrur për ndeshjet e këtij muaji.