Në 11 shtator 2014 në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër megjithë paralajmërimet dhe sinjalizimet për një konflikt të mundshëm mes tifozëve, policia e Shkodrës nuk merr masat e nevojshme. Në fushë luhet futboll me Vllazninë që barazon përballë Tiranës pretendente për titull.
Ndeshja ndërpritet disa herë për shkak të incidenteve mes tifozëve bardheblu dhe tifozëve shkodran në tribunën qëndrore por dhe përplasjeve të dhunshme mes tifozëve të Tiranës dhe forcave speciale që futen në sektorin e tyre.
Pasi përfundon ndeshja tifozët bardheblu sulmohen me sende të forta nga të gjitha anët e stadiumit, brënda dhe jashtë tij, me tifozë që zbresin nga tribunat apo dhe futen nga të gjitha dyert e hapura, pa polici dhe pa asnjë minimum sigurie.
Konflikti zgjat për minuta me rradhë dhe në fund e pësojnë tifozët e Tiranës. Pas asaj ndeshje bardheblutë vuajnë dënimin e FSHF-së që i izolon të luajnë 15 takime pa spektatorë.
Dje, historia përsëritet edhe pse ka një tjetër dimension dhe merr të tjera përmasa. Kësaj rradhe nuk bëhet fjalë për një ndeshje futbolli por basketbolli. Në shumë raste të shkuara, tifozët e dy skuadrave kanë tentuar të përplasen mes tyre por për shkak të forcave të shumta policore nuk kishte patur fatmirësisht incidente.
Dje dy policë ishin në parket kur ndeshja do të niste, thuajse asnjë jashtë pallatit të sportit, aty ku lufta dhe përplasjet ishin të frikshme mes dy tifozerive. Bardheblutë kanë larë “haqet” e 11 shtatorit 2014 për krijuar një tjetër histori me datën 6 prill 2017. Në fund ndeshja u anullua, dyert e pallatit të sportit do të mbyllen për Superkupën dhe ndoshta do të ketë edhe të tjera masa për gjithçka ndodhi.
Pamjet e dhunës në “Loro Boriçi”, 11.09.2014
Pamjet e dhunës në “Asllan Rusi”, 6 prill 2017