Luftëtari mbylli një sezon spektakolar në Superiore dhe më të mirin në historinë e klubit ku në fund të tij u kualifikua edhe në Europa League. Padyshim që një pjesë të madhe në suksesin e gjirokastritëve kishte edhe Hasan Lika. Trajneri i njohur e mori ekipin në një moment kritik dhe arriti ta ngjiste në nivele të paimagjinueshme.
Por pavarësisht këtij sezoni shumë pozitiv duket se Lika dhe Luftëtari nuk kanë gjetur ende akordin për vazhdimin e bashkëpunimit. Kontrata e teknikut ka skaduar dhe tashmë duhet një marrëveshje e re me drejtuesit bluzinjë. Ndërkohë në Gjirokastër kanë filluar të qarkullojnë emrat e dy trajnerëve sllovenë si Robert Englaro dhe Millosh Kostic si drejtues të ardhshëm të stolit të Luftëtarit.