Rrahman Hallaçi është prezantuar si kapiten i Kukësit. Në konferencën për shtyp ai është shprehur i emocionuar teksa ka premtuar që do të japë gjithçka për fanellën e skuadrës së tij. Mbrojtësi i djathtë ka mbajtur edhe më parë këtë shirit dhe ia di më së miri se ç’përgjegjësi është të jesh kapiten i fituesve të Kupës së Shqipërisë.
“Jam shumë i lumtur që jam rikthyer si kapiten. Unë jam i nderuar dhe i falënderoj të gjithë. Gjithmonë kam dhënë më të mirën për këtë ekip si në periudhën që kam mbajtur shiritin si atëherë kur nuk kam qenë kapiten. E dashuroj Kukësin dhe do të jap gjithmonë më të mirën për këtë qytet dhe ekipin tim. Nesër kemi një ndeshje shumë të vështirë. E vlerësojmë kundërshtarin, por ne do të bëjmë lojën tonë. Shpresojmë që në fund të rrëmbejnë edhe trofeun”, shprehet Hallaçi.