Ndeshja e javës së 10-të e Kategorisë së Dytë, Grupi B, Skrapari-Përmeti është ndërprerë për shkak se është dhunuar gjyqtari kryesor i takimit.
Në minutën e 94′, kur rezultati ishte 2-1 për miqtë, gjyqtari Allia akordon një 11-metërsh për Skraparin. Një gjë e tillë ka irrituar lojtarët e Përmetit që kanë kontestuar ashpër për këtë vendim duke shtyrë edhe kryesorin e takimit.
Një moment që ka sjellë tension dhe madje në fushë janë futur edhe tifozë të Skraparit. Ndeshja u ndërpre në minutën e 94-t, për të mos rifilluar më, pasi gjyqtari nuk ishte në gjendje psikologjike për të vijuar ndeshjen.
Ndërkohë, në faqen zyrtare të klubit të Përmetit shkruhet se gjyqtari Allia dënoi ekipin me atë 11-metërsh, por bën me dije se ata që kanë dhunuar arbitrin nga Patosi ishin tifozët e Skraparit.
Tashmë kjo ndeshje do t’i kalojë Komisionit të Disiplinës që do të marrë vendim se cilës skuadër do t’i takojnë tri pikët në tavolinë.