Janë mësuar dy çiftet gjysëmfinaliste të edicionit të 67-të të Kupës së Shqipërisë. Pengesa e fundit për Kukësin, drejt finales së madhe do të jetë Skënderbeu.
Dueli mes tyre është kthyer në një klasike në vitet e fundit, duke e bërë akoma më të bukur këtë 90 minutësh. Këtë sezon, dy ekipet janë në garë për një vend në Europë edhe nga kampionati, teksa fitimi i Kupës do i siguronte kalimin në raundin e dytë të turit kualifikues të Europa League.
Ndërkohë, finalisti tjetër do të dalë nga çifti, Luftëtari-Tirana. Dy skuadrat e shohin Kupën si shpëtim të edicionit, i cili nuk ka dhënë frytet e duhura. Gjirokastritët dhe kryeqytetasit janë në duel për të siguruar një vend në më të mirat e Superiores të paktën edhe për një sezon, teksa mbajnë vendet 7-të dhe 8-të në tabelën e klasifikimit.
Takimet e parë do të zhvillohen me 24 prill teksa ndeshjet e kthimit me 8 maj. Finalja e madhe do të luhet më 2 qershor.
© 2024 News Sport - Dev by Aplikacione.com.