Sinan Idrizi, administratori i Flamurtarit, para pak ditësh dha një deklaratë, ku shprehej se Sakajn e kishte mbajtur në ekip për gjynah, por tashmë ka ardhur edhe reagimi i ish-kapitenit:
“Është tmerr, kur një njeri që e quan veten president i Flamurtarit, një krenari për vlonjatët, thotë gjëra të ulëta për mua. Jam një ish-lojtar që për shumë vite kam pasur kontratë vjetore dyfishin e atyre 25 milionë lekësh të vjetra të Sinanit, ndaj kjo nuk më ka lënë të mbetem për gjynah në fund të karrierës.
I kujtoj Sinanit që më gjeti në ekip pasi kisha fituar Kupën e Shqipërisë. Unë s’kam pasur nevojë të fus miq asnjëherë. Isha pjesë e listës së trajnerit Gjoka, i cili më pas vendoste nëse luaja apo jo. Kjo nuk do të thotë që nuk duhet të paguhem.
Kisha një kontratë me Flamurtarin dhe vendimet nuk merren sipas qejfit. Më larguan keq nga ekipi dhe kjo më bëri të shkoja në gjyq. Pretendimi i tyre për largimin ishte idiot, pasi thoshin që nuk kam qenë në stërvitje nga data 21 deri në 31 dhjetor, kohë që ekipi ishte lënë pushim për festat e fundvitit. Dua të pyes zotërinë, me Kasanon çfarë u bë, e solli në Vlorë?! E dija që ishte njeri me moral të ulët, por jo deri në atë pikë sa të bënte deklarata të tilla për mua”, përfundon ish kapiteni për “Panorama Sport”.