Ernest Gjoka ka dhënë një prononcim për Supersport. Trajneri i Kukësit ka folur për humbjen në Moldavi, synimet në merkato, objektivi në Champions League dhe rreth akuzave për trukim.
Humbja minimale – “Bëmë një lojë të mirë dhe prodhuam një ndeshje relativisht pozitive. Nëse do të kishim shënuar gol, mbi të gjitha me rastet që patëm, situata mund të kishte ndryshuar. Sheriffi është një skuadër me potencial dhe me një buxhet shumë më të madh se të tonin, megjithatë ky nuk është një justifikim. Tashmë kemi një hap tjetër, që është tejet i vështirë, pasi rezultati 1-0 është shumë i vështirë. Ne do të bëjmë maksimumin që ti dhurojmë kënaqësi klubit, vetes, që të arrijmë atë që po e kërkojmë me patjetër: të ecim përpara në Champions League.”
Merkato – “Unë mendoj që përforcime në momentin e fundit nuk ka. Skuadra është kjo që është për momentin. Ne kemi potencialin edhe në sulm për të arritur suksesin. Në ndershjen e parë menduam më tepër të jemi të ekuilibruar dhe të ngjeshur në mesfushë, aty ku kundërshtari ka edhe armën më të fort. Tashmë duhet të jemi edhe të fort në sulm, por edhe të ekuilibruar. Sheriffi është një skuadër e mirë dhe nuk duhet të harrojmë mbrojtjen. Vështirësia e kësaj ndeshje kjo është: duhet të mendojmë që në fillim të arrijmë të shënojmë.”
Objektivi në Champions – “Absolutisht nuk do të dorëzohemi. Tashmë e keni kuptuar kush është mentaliteti dhe filozifoa e kësaj skuadre. Nëse ky ekip kishte një meritë, ajo ishte sepse kishte një grup me njerëz me personalitet që duan me gjithçka të kërkojnë suksesin. Ne do ta përgatisim ndeshjen për çdo vështirësi, do ta analizojmë sërish deri në detaje dhe pse jo do ta përgatisim edhe për penalltitë. Gjithsesi duhet të japim maksimumin dhe mos të kalojmë në eufori në sensin që duhet vetëm të bëjmë gol, pasi sulmuesi i rivalëve është shumë i fortë dhe shumë i shpejt.”
Akuzat për trukim – “Ishte një sulm i vazhdueshëm ndaj nesh, një sulm verbal për të na vendosur përpara një stresi të jashtëzakonshëm. Nuk është normale që çdo ditë të lexonim në gazetë pas çdo ndeshje miqësore që zhvillonim që ndeshja kishte diçka. edhe atë natë, pas asaj ngjarje jo të këndshme, nga ana psikologjike skuadra ishte e rënduar. Gjatë atyre dy ditëve në Moldavi kemi punuar shumë për hir të së vërtetës. Por, siç e thashë skuadra ka lojtarë me personalitet, që arritën ta kalonin këtë ngërç.”