Pas shtatë vitesh në Ballsh, ku vetëm një titull nderi i mungonte, ai është larguar për të zgjedhur rrugën e emigrimit. Bëhet fjalë për shtatlartin Mariglen Shosha, i cili mbahet mend sidomos për golin që i shënoi Lushnjes një vit më parë në ndeshjen Lushnja – Bylis, e cila përfundoi 0-1 dhe kualifikoi mallakastriotët në Superiore për sezonin 2015-2016.
Por, edhe pse u konfirmua si lojtar i Bylisit për sezonin 2016-2017, ku doli në stërvitje dhe iu bashkëngjit grupit, një javë më parë ai ka kërkuar me mirëkuptim largimin. Drejtuesit nuk e kanë penguar, ndërsa ka zgjedhur emigracionin si zgjidhje.
Shosha ndodhet në Itali me familjen, ku në këtë mënyrë duket se i thotë lamtumirë futbollit të luajtur. Me largimin e Shoshit, trajnerit Maringlen Kule i duhet që të gjejë një tjetër qendërmbrojtës për të siguruar prapavijën.