Bledar Musolli ka folur për nivelin e Superiores, por edhe për përzgjedhjen e futbollistëve që ka bërë trajneri Albert Bunjaku në përfaqësuesen e Kosovës. Ai ka deklaruar që kampionati në Shqipëri është në ngritje vit pas viti, ndryshe nga ai i Kosovës ose i ndonjë vendi tjetër.
“Sa i përket kampionatit shqiptar ka pesë vite që luaj këtu dhe profesionalizmi ka qenë dhe është në rritje e sipër, sidomos këto vitet e fundit, ndryshe nga kampionati në Kosovë dhe vendet e tjera të rajonit. Liga është më e fortë dhe konkurrenca është më e madhe për shkak se skuadrat kanë mundësinë të dalin në Europë”, – ka deklaruar Musolli.
Për sa i përket përfaqësueses së Kosovës, lojtari i Kukësit ka shtuar:
“Nuk më takon mua të flas për përzgjedhjen. Ka lojtarë mjaft të mirë dhe cilësor. Është herët të flasim, duhet të presim më shumë nga një ekip i ri që patjetër duhet shumë punë për të pritur rezultatet”, ka përfunduar 27-vjeçari për “New Prishtina”.