Dosja e trukimeve të Skënderbeut, të thënat e të pathënat e dy ditëve të fundit kanë sjellë të parin reagim të ashpër nga Federata Shqiptare e Futbollit kundër gazetës “Panorama Sport”. Nëpërmjet një deklarate për mediat, FSHF ka denoncuar publikisht për shpifje gazetën sportive.
“Federata Shqiptare e Futbollit kerkon te informoje publikun, ne lidhje me nje lajm te pavertete, te botuar ne numrin e sotem te gazetes “Panorama Sport” mbi vendimin e arsyetuar te ceshtjes Skenderbeu. E verteta eshte kjo: Pas apelimit qe ekipi i Skenderbeut beri ndaj vendimit te UEFA-s ne Gjykaten e Arbitrazhit Sportiv (CAS), u mor dhe vendimi final i cili denoi ekipin e Skenderbeut nga pjesemarrja ne kupat e Europes per nje vit”, shkruhej fillimisht në deklaratën e FSHF-së.
“Ky eshte blofi i rradhes i “Panorama Sport”. Pjesa tjeter qe ata i serviren publikut eshte alucinacion i qellimshem ne vijim te nje fushate disavjecare denigruese ndaj institucionit te futbollit, qe ka per qellim te nxije realitetin dhe sukseset e tij ne vijimesi, sidomos gjate viteve te fundit”, përfundonte deklarata e institucionit që drejton futbollin. Prej kohësh gazeta sportive dhe FSHF janë në një luftë të ftohtë e në distancë mes tyre por kjo ishte lëvizje e parë publike nga zyra për shtyp e Federatës.