Një lajm i mirë ka ardhur nga FSHF për të gjitha ekipet shqiptare. Tarifa e regjistrimit në Kampionat është hequr për të gjitha Kampionatet.
Klubet e Kategorisë Superiore paguanin një kuotë pjesëmarrje prej 1130500 lekësh (të reja), ato të Kategorisë së Parë nga 810000 (të reja) dhe të Kategorisë së Dytë nga 370500 lekë (të reja).
Ky është një lajm i mirë sidomos për skuadrat e Kategorisë së dytë, të cilat shpeshherë, janë përjashtuar nga FSHF, pikërisht për mos shlyerjen e detyrimeve.
Njoftimi i plotë i FSHF-së:
Klubet shqiptare të futbollit nuk do të paguajnë më për pjesëmarrjen e tyre në kampionatet e futbollit, por kuota përkatëse do të përballohet tërësisht nga financat e FSHF-së. Kështu ka vendosur sot Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së, i cili në mbledhjen e radhës kaloi si vendim heqjen e kuotës së pjesëmarrjes së klubeve, nga ky sezon e në vazhdim.
Për pjesëmarrjen në gara do të jetë FSHF e cila do të përballojë financat. Komiteti Ekzekutiv i FSHF mori vendim që zgjidh tani e një vijim klubet nga një detyrim i tillë. Kështu, klubet pjesëmarrëse në Kategorinë Superiore, Kategorinë e Parë dhe të Dytë nuk do të paguajnë më Kuotën e Pjesëmarrjes.
Ndërkaq, Komiteti ka miratuar edhe listën e plote për Arbitrat, Vëzhguesit dhe Delegatët për sezonin 2017-2018.
Një tjetër vendim i KE-së në mbledhjen e sotme ishte edhe miratimi i strukturës së Kategorisë së Dytë me ndarjen e dy grupeve, gjeografikisht veri-jug. Ky vendim i hap rrugën edhe shortit të kampionatit për këtë Kategori, i cili do të hidhet në ditët në vijim.