Pas fitores së arritur ndaj Vllaznisë në fundjavë, ekipi durrsak ka nisur përgatitjet për ndeshjen që do të ketë në Vlorë me Flamurtarin, siç dhe duket në fotot e postuara në faqen zyrtare të klubit pak minuta më parë. Rezultati 2-0 ndaj një rivali direkt siç ishte Vllaznia, ka çuar çdo gjë në barazpeshë përsa i përket mbijetesës, por Teuta tashmë ka në favor gjendjen psikologjike, që është shumë e rëndësishme në ndeshjet vendimtare. Në krahun tjetër, java e 30-të e kampionatit e gjen Flamurtarin në vendin e 6-të me 40 pikë të grumbulluara.
Të besuarit e Shpëtim Duros nuk duan duan të lëshojnë përsëri “terren” dhe patjetër do të kërkojnë të marrin një 3 pikësh, që do ta largonte disi krizën në kampin vlonjat. Flamurtari ka edhe një shans të “artë” për t’u “justifikuar” këtë sezon, sepse është në garë për të fituar Kupën e Shqipërisë. Nesër do të luaj takimin e dytë gjysmëfinal përballë Skënderbeut në kupë. Vlonjatët ndeshjen e parë e fituan me shifrat 0-1 në Korçë.