Lorenc Trashi ishte mungesa e madhe e skuadrës së Partizanit në humbjen 2-0 kundër Skënderbeut. Mesfushori i të kuqve u pezullua nga drejtuesit e klubit për thyerje të disiplinës brenda ekipit.
Mëngjërashi ishte në qendër të vëmendjes së medieve, ndërsa tashmë duket se mes palëve ka ardhur paqja. Përmes një postimi në rrjetet sociale, 26-vjeçari shfaqet gjatë një seance stërvitore me skuadrën teksa qëndron përpara Gegës.
Siç duket ai kërkon të tregojë që “gjakrat” janë qetësuar dhe tashmë nuk ka vend më për fjalë, por vetëm punë. Trajneri Skënder Gega shfaqet me bllokun e shënimeve, ndërsa Trashi para tij duke e dëgjuar. Me sa duket edhe mëngjërashi është bindur se askush nuk mund të kthejë fjalën e trajnerit dhe për këtë ka reaguar përmes postimit domethënës në rrjetet sociale.