Edhe pse nuk është luajtur akti i dytë për raundin e tretë kualifikues të Champions League, Shkëndija po fillon të mendojë për kundërshtarin e ardhshëm në fazën e “play-off”-it të Europa League. Humbja me austriakët e Salzburgut 3-0 lë pak shpresë për të realizuar një mrekulli dhe kampionët e Maqedonisë hedhin sytë nga kundërshtari i mundshëm për të garantuar pjesëmarrjen në fazën e grupeve të Europa League.
Sipas shortit të paracaktuar të UEFA-s për skuadrat që eliminohen nga rruga e Champions League, kuqezinjtë me shumë gjasa mund të përballen me norvegjezët e Rosenborgut. Nordikët kanë fituar lehtësisht takimin e parë për raundin e tretë të Europa League në fushën e irlandezëve të Cork Cityt.
Megjithatë çdo gjë do të mësohet pasi javën e ardhshme të luhen dhe aktet e dyta të kompeticioneve përkatëse. Shkëndija kthehet në shtëpi në datën 14 gusht, kurse Rosenborg luan në shtëpi dy ditë më vonë në 16 gusht.