Apolonia është një emër jo i panjohur i futbollit shqiptar, por prej vitesh ëndërrojnë të kthehen në elitën e futbollit shqiptar. Këtë merkato verore, klubi fierak ka menduar të investojë dhe për brezat e ardhshëm. Me anë të një postimi në “Facebook” klubi bardhjeshil ka bërë thirrje për të regjistruar çdo fëmijë që dëshiron të rritet si futbollist i ardhshëm i Apolonisë.
Njoftimi është bërë në faqen zyrtare të klubit fierak në “Facebook”.
“Portierë, mbrojtës, mesfushor apo sulmues: Rritu bardhejeshil, rritu me FK Apolonia! Nisin regjistrimet, jeni të mirëpritur! FK Apolonia në prag të nisjes së sezonit të ri futbollistik për të gjitha grupmoshat ka hapur dyert për pranimin e fëmijëve të çdo lloj moshe nga 6 deri më 18 vjeç. Të nderuar prindër, për të bërë realitet ëndrrën e fëmijëve tuaj ju mund të paraqiteni pranë zyrave të klubit tonë çdo ditë nga ora 9:00 deri më 17:00 për të bërë regjistrimin e fëmijës tuaj në një nga ekipet tona.Ne ju sigurojmë edukim sportiv nga trajnerë të kualifikuar për çdo grupmoshë nga U-7 deri në U-19. Këtë vit vijmë edhe me një tjetër risi, hapim akademi vetëm për portierë. Trajnerët Kosta Sera dhe Eduard Miço do të jenë në përkujdesjen e fëmijëve tuaj çdo ditë që ata të bëhen siç ju keni ëndërruar, magjikë brenda katërkëndëshit. Mos ngurroni të na kontaktoni për çdo paqartësi! Apolonia do të luajë këtë sezon në Kategorinë e Parë, grupin B dhe objektivi i vetëm mbetet kalimi në Superiore.”