Përplasjet ndodhin në fushën e lojës, por edhe në rrjetet sociale. Një etiketim për “stadium të vdekur” për stadiumin Niko Dovana në Durrës, ku ditën e djeshme u luajt kryendeshja e javës Teuta – Partizani (1-1), nga ana e ish-zyrtarit të FSHF-së, një tifoz i Partizanit, Eduard Prodani, ka shkaktuar reagimin e Tefik Osmanit, kapiten i Teutës.
“Ashtu si e ka pas traditë, dje Partizani mbushi një stadium “të vdekur” prej vitesh si ai i Durrësit. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për lojtarët. Kur luajnë kundër Partizanit, shkëlqejnë dhe lojtarë të zakonshëm për nga cilësite …. në ndeshjen e djeshme disa lojtarë të Durrësit luajtën në nivele si kurrë më parë …. të dy ekipet meritojnë një “bravo”” shkruan Eduard Prodani në rrjetet sociale, raporton “Newsport”.
Por duket se aludimi se Partizani mbushi stadiumin e vdekur të Durrësit, ka prekur durrësakët, jo vetëm tifozët, por edhe lojtarët.
Dhe përgjigja për Prodanin, vjen nga Tefik Osmani i Teutës.
“Z. Eduard Prodani po të tregoj Traditën e këtij stadiumi të ‘vdekur’. Ky stadium mbushet kur ekipi ka rezultate dhe qytetarët e ndjejnë që duhet të mbështesin ekipin e qytetit të tyre. Nuk është se erdhi Partizani, apo ndonjë ekip tjetër, me gjithë respektin për të gjitha ekipet e tjera. Dhe me kryesorja, lojtarët luajnë gjithmonë shumë mirë në ndeshje si ajo e ndjeshmja. Mos e ngatërro futbollin me letrat që shkruan ti, ose firmos ti” i kthen përgjigje Osmani, Prodanit”, raporton “Newsport”.
Dje si rrallëherë, në një shi të dendur, tifozët e Durrësit kanë qëndruar në stadium në mbështetje të ekipit të tyre që kishte një përballje të vështirë me Partizanin që kryeson tabelën e Kategorisë Superiore. Edhe pse ndeshja u mbyll në barazim, ekipet luftuan shumë në fushë për fitoren.