Partizani pritej të ishte një nga skuadrat më të përmendura për “hyrje-daljet” në merkaton e verës, por me sa duket nuk është kështu. Lojtarë të larguar, të cilët kanë shprehur publikisht pakënaqësitë për 15-herë kampionët e Shqipërisë.
Një ndër ta ishte edhe Blerim Kotobelli, i cili në intervista në shtypin e shkruar, por edhe në newsport.al deklaroi që nuk kishte trajtuar në mënyrë profesionale nga klubi i Partizanit.
Sot u raportua se klubi i kuq e ka ndëshkuar me 7 mijë euro gjobë, pasi pretendohet dhënie prononcimesh pa leje, por gjithashtu edhe prishje të imazhit.
Ndërkohë, po të bëjmë një hulumtim të shpejtë në kanalin zyrtar të Partizanit shihet se në datën 16 qershor bëhet me dije që klubi i Partizanit ka ndërprerë kontratën me lojtarin në fjalë. Të paktën për mediat njoftohet se “de facto” 25-vjeçari nuk është më pjesë e organikës së kuqe, madje i urohet atij edhe suksese në karrierë.
Ndërsa sot, mëngjërashi është njohur me gjobën e majme të marrë para largimit nga Partizani. Në fakt fuqia prapavepruese e ligjit njihet dhe zbatohet në legjislacionin shqiptar, por në rastin konkret futbollisti paska qenë i larguar vetëm mediatikisht, pasi “de juro” qenka në kontratë deri ditën e nesërme. (30 qershor)