Edhe java e 30-ë e kampionatit shqiptar nuk kaloi pa befasira.
Buzëqesh Kukësi me fitoren ndaj Tiranës (0-2) duke gjetur një tjetër bomber (Vasil Shkurtajn), i cili përfiton nga hapi fals i Partizanit në Fushë-Krujë me Kastriotin (1-1). Krutanët ende nuk dalin zona e rrezikshme në rënien në Kategorinë e Parë, por skuadra dhe trajneri janë të bindur që mund t’ia dalin. Tirana nuk siguron fitore radhazi. Në “Selman Stërmasi”, bardheblutë bënë çdo gjë gabim duke falur raste flagrante për të shënuar. Por, distanca nga Kastrioti me 5 pikë e mban përkohësisht të qetë, megjithëse ecuria në këto momente është aspak premtuese. Luftëtari nuk e lejon Flamurtarin të marrë një tjetër fitore, pasi në Vlorë, Realdo Fili i ndëshkoi kuqezinjtë në frymën e fundit. Përfiton Laçi nga ky rezultat duke mundur Skënderbeun 1-0 me Ndriçim Shtubinën dhe Gentian Selmanin. Përgjigja e munguar nga CAS-i bëhet sërish pengesë për ecurinë e bardhekuqve.
Pas përfundimit të katër sfidave të sotme, “Newsport.al” përzgjodhi “Formacionin më të mirë të ndalesës së 30-ë të kampionatit” sipas skemës 4-3-3.
Portier
Gentian Selmani (Laçi): Kapiteni i kurbinasve është një lider i vërtetë. Edhe kur skuadra rrezikon të mos e sigurojë fitoren, ai nuk frikësohet të mbajë peshën e ekipit në kurriz. Me një Skënderbe të furishëm në fushën e kurbinasve, 21-vjeçari ishte vendimtar në dy momente: në pritjen e goditjes së futbollistit Pervan dhe në penalltinë e Bregut. Konfirmohet dhe si “specialist i pritjes së penalltive”.
Mbrojtja
Blerim Kotobelli (Flamurtari): Mbrojtësi i majtë i kuqezinjve realizoi një paraqitje bindëse ndaj gjirokastritëve. Pas disa javësh në vështirësi, ish-futbollisti i Partizanit furnizoi me topa skuadrën nga krahu i majtë. Nëse Sukaj do të ishte treguar vendimtar, vlonjatët do të siguronin fitoren e katërt radhazi. Megjithatë, për skuadrën Kotobelli është siguri më vete.
Edy Nicolas-Boyom (Kastrioti): Krutanët njihen për lojën e ashpër dhe vendosmërinë në fushë. Dhe qendërmbrojtësi kamerunas tregoi karakter ndaj kryesuesve të kampionatit Partizanit. Të kuqtë vuajtën shumë pas daljes me karton të kuq të Lum Rexhepit. Falë rezistencës së krutanëve, të kuqtë nuk u kthyen në shtëpi me 3 pikë të plota.
Franc Veliu (Flamurtari): Ish-kapiteni i kuqezinjve ishte në lartësinë e duhur në sfidën ndaj gjirokastritëve. Nuk iu la shumë raste kundërshtarëve. Me Pollozhanin në krah, ekipi ka gjetur besimin në vetvete.
William Cordeiro (Kukësi): Është i konfirmuar si njëri prej më të mirëve në pozicionin e tij. Ndaj Tiranës ishte i palodhur bashkë me Reginaldon. Gjen gjithmonë hapësirë të krijojë raste për skuadrën e tij. Dinamik dhe agresiv në fushë, edhe pse nervat mund t’i hapin punë.
Mesfusha
Juljan Shehu (Kastrioti): Ka besimin e plotë të trajnerit dhe skudrës. Mesfushori i krutanëve tregohet sërish vendimtar ndaj Partizanit duke mos i lënë të kuqtë të fitonin në Fushë-Krujë. Golat nuk janë detyra e tij, por di të shënojë në momentin e duhur. Golat e tij janë tepër të vlefshëm.
Ndriçim Shtubina (Laçi): Pakkush do ta besonte se një mesfushor do të shënonte plot gola në Kategorinë Superiore. Veterani shkodran nuk njeh lodhje dhe ndaj Skënderbeut shënon një gol të rrallë për shtatin e tij. E gjuan me saktësi topin me kokë duke mposhtur qendërmbrojtësit e Skënderbeut. Padyshim me Selmanin janë “flamurmbajtësit” e ekipit në këtë sezon duke bërë të shpresojnë për një tjetër pjesëmarrje në Europa League.
Esat Mala (Partizani): Në një ditë të keqe për të kuqtë, anësori ishte më i dalluari në fushë. I rrezikshëm në daljet nga krahu, por dalja e Rexhepit e mpiu skuadrën, e cila mendoi më tepër të mbronte rezultatin.
Sulmi
Realdo Fili (Luftëtari): Te Gjirokastritët ndihet tjetër futbollist. U heq fitoren e çmuar vlonjatëve nga dora duke i falur një pikë të artë bluzinjve. Transferimi i tij në janar te Luftëtari e ka ndihmuar shumë ekipin në arritjen e rezultateve pozitive. Bashkë me Ismael Dungën formojnë një dyshe të fortë.
Vasil Shkurtaj (Kukësi): Përmbysi parashikimet e të gjithëve se nuk do të mund të luante në krah me Reginaldon në krah. Në sfidën e sotme ndaj Tiranës, të dy treguan se mund të jenë dyshja më e mirë e sulmit në kampionat. Jo më kot kanë realizuar secili nga 11 gola. Në golin e parë u ndodh në vendin e duhur, në golin e dytë e zgjidhi vetë duke gjuajtur nga një pozicion i vështirë. Ndoshta do të kishte më tepër gola në listë, nëse do të vinte te Kukësi në merkaton verore.
Andi Ribaj (Flamurtari): Në gjysmën e dytë të kampionatit është kthyer në lojtarin kyç të kuqezinjve. Realizoi një gol të bukur, por pati fat pasi portieri Edvan Bakaj nuk e kontrolloi si duhet goditjen që mund të shmangej lehtë nga porta. Me Sukajn marrin përdore ekipin në këtë pjesë finale të sezonit duke mbajtur gjallë shpresat për të shkuar në Europa League, edhe pse nuk janë paguar për muaj të tërë.
Trajner
Julian Ahmataj (Luftëtari): Luftëtari është një ekip që nuk dorëzohet për asnjë moment. Për përgatitjen morale dhe psikologjike meriton vlerësimin maksimal. I prish festën Flamurtarit në shtëpi dhe falë mobilizimit të skuadrës e ndihmon të besojë se meriton të qëndrojë në Kategorinë Superiore. Ndeshjet me fund dramatik janë specialitet i tij/ Newsport/.
© 2024 News Sport - Dev by Aplikacione.com.