Dje, në kampin vlonjat janë bërë ndryshimet e fundit sa i përket emërimit të trajnerit të ri. Në mbledhjen e zhvilluar në orën 17:30, u konfirmua Ardi Behari si trajneri i ri i Flamurtarit, të paktën deri në fund të sezonit. Seanca e djeshme është drejtuar nga tekniku i ri, i cili në krah ka patur Vasil Ruçin dhe Petraq Bifshën.
Në takimin e sotëm që vlonjatët do luajnë në shtëpi ndaj Teutës, pritet që Behari të bëjë disa ndryshime, duke futur si titullar Veliun. Trajneri i ri ka nisur të “qahet” pa filluar ende punë dhe kjo për faktin e mungesave. Bushiç dhe Kamara do mungojnë sot ndaj durrsakëve për shkak të dëmtimeve, kjo do vërë në lëvizje teknikun për të gjetur një tjetër “formulë” dhe për të arritur suksesin e parë në postin e ri.