Në konferencën për shtyp për sfidën e javës së 17-ë midis Flamurtarit dhe Kamzës, doli ndihmëstrajneri Ergi Lubani dhe futbollistët Tomislav Busic dhe Goran Siljanovski.
Para mediave, Lubani deklaroi se i njeh mirë kundërshtarët dhe nuk nënvlerësuar aspak, pavarësisht pozitës në klasifikim.
“E njoh mirë Kamzën, edhe pse me ndërrimin e trajnerit dhe ardhjen e Ernest Gjokës, mund të ketë ndryshime taktike. Por të paktën cilësitë individuale të futbollistëve të Kamzës i di mirë. Nisur nga kjo them që do të jetë një ndeshje e vështirë. Për mendimin tim Kamza nuk e reflekton pozicionin që ka në renditje. Nuk ka ndeshje të lehta, ne kemi fituar me vendin e parë dhe brenda gjashtë ditëve kemi humbur me vendin e fundit. Çdo ndeshje meriton vlerësimin maksimal dhe sidomos kjo sfidë, unë mendoj që do të jetë e bukur dhe për tifozët. Unë Kamzën e njoh si një ekip shumë të fortë faktikisht. Nuk është një deklaratë diplomatike, por Kamza mua më habit për pikët që ka. Duhet të ishte shumë më lartë mendoj unë. E kam trajnuar, kam punuar me stafin dhe djemtë e Kamzës, janë futbollistë cilësor, kanë përvojë. Plaku, Teqja, Mala, Frashëri etj, meritojnë vlerësimin maksimal dhe patjetër që objektivi është fitorja”, u shpreh ish-asistenti i Kamzës.
Ndërsa kapiteni dhe sulmuesi i kuqezinjve Tomislav Busic tha se nuk ka rëndësi numri i golave, por sigurimi i fitores.
“Futemi në fushë vetëm për të fituar, më pas do të mendojmë për ndeshjen e fundit. Sulmi i Flamurtarit ka emra të rëndësishëm, ndër më të fortët në kampionatin shqiptar, të shohim sesi do të shkojë me Kamzën. Mungesa e golave? Mund të fitojmë 1-0 ose 4-0, vlera e fitores është 3 pikë, pavarësisht rezultatit”, deklaroi kroati.
Mbrojtësi maqedonas Siljanovski theksoi se Flamurtari e ka mundësinë për të marrë maksimumin e pikëve ndaj ekipit të Ernest Gjokës, pasi ekipi ka mentalitet fitues.
“Pavarësisht se Kamza është më poshtë se në renditje ne duhet të luajmë ndaj tyre siç luajtëm ndaj Laçit, duhet të jemi të motivuar në maksimum. Ne jemi një skuadër me mentalitet fitues. Besoj se është momenti të arrijmë një tjetër fitore. Jemi stërvitur mirë për këtë ndeshje”, u shpreh maqedonasi.