Qëndrueshmëria fizike e Luftëtarit është faktori që mund të dëmtojë më shumë ecurinë e gjirokastritëve. Duket se faza parasezonale e zhvilluar në Slloveni dhe kthimi në Shqipëri nuk është planifikuar në mënyrën e duhur nga ish-stafi teknik i trajnerit të larguar slloven Milos Kostic. Shenjat u dhanë që në fitoren e parë të këtij sezoni ndaj Teutës. Por jashtë shtëpisë dhe përballe një Kukësi super të karikuar, bluzinjtë duhet të kenë arritur formën optimale.
Por ky është një problem që duhej të ishte kaluar me kohë pasi hyjmë në javën e gjashtë të sezonit ku të gjitha skuadrat e kanë arritur ritmin. Për të shmangur mbingarkesat, tekniku vlonjat Gentian Mezani u ka kërkuar futbollistëve të tij të mos i shpërdorojnë kot energjitë.
Për sa i përket gjendjes fizike të kontigjentit, vetëm mesfushori Eduart Rroca nuk do të jetë i gatshëm për sfidën ndaj verilindorëve dhe me shumë mundësi do të prekë fushën pas ndeshjes së shtatë të kampionatit.