Të gjithë presin me padurim rikthimin në fushë të Kombëtares sonë. Kuqezinjtë kanë nisur përgatitjet që të hënën me dy seanca stërvitore në ditë. Trajneri Christian Panucci ka punuar me të gjithë grupin. Italiani po planifikon në kokë 11-shen që do të tentojë të mposhtë Izraelin në “Elbasan Arena” ditën e premte. Sipas parashikimeve bazuar te aktivizimet në radhët e klubeve, porta do të mbrohet nga gardiani i Lacios Thomas Strakosha, i cili ul në stol Etrit Berishën që është aktivizuar vetëm ndeshjen e fundit në kampionat. Qendra e mbrojtjes është e padiskutueshme me Mërgim Mavrajn dhe Berat Xhimshitin. Po kështu dhe krahu i djathtë i mbrojtjes me Elseid Hysajn. Në anën e majtë veterani Ansi Agolli dhe Egzon Binaku do të duelojnë se kush do ta nisë nga minuta e parë. Mesfusha përbëhet nga 3 pjesë: Lilaj, Basha dhe Xhaka. Në vijën e sulmit Sindrit Guri ka përparësi ndaj Bekim Balës, i cili ka patur një formë me luhatje në Rusi me Akhmat Groznyn. Jahmir Hyka do të përshkojë krahun e majtë të fushës, ndërsa Eros Grezda, i cili ka pak ditë që është transferuar te Glasgoë Rangers nuk ka konkurencë në anën e djathtë të repartit sulmues. Deri ditën e takimit mund të ketë dhe ndryshime të tjera në formacionin e Shqipërisë. Natyrisht që tekniku Panucci do të kryejë zgjedhjet bazuar dhe në paraqitjet e lojtarëve në stërvitje.
© 2024 News Sport - Dev by Aplikacione.com.