Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga fillimi i kampionatit Botëror, tifozët në mbarë globin por sidomos ata të vendeve pjesëmarrëse po bëhen gati të ndjekin skuadrat e tyre të zemrës.
Për të kuptuar rëndësinë e këtij evenimenti sportiv mjafton të shohim edhe qëndrimin e zyrtarëve të qeverive ku në jo pak raste delegacionet e ekipeve kombëtare janë përcjellë para nisjes për në Rusi nga vetë Kryeministrat ose Presidentët e vendeve.
Por në Uruguaj zyrtarët kanë shkuar edhe më larg, duke vendosur pezullimin e çdo aktiviteti mësimor në çdo shkollë gjatë kohës kur kombëtarja amerikano-latine do të luajë ndeshjet e saj në Kupën e Botës. Kjo padiskutim ka gëzuar pa masë të gjithë fëmijët dhe nxënësit anembanë vendit që ka fituar dy herë trofeun në historinë e tij, të cilët duket se ishin të shqetësuar sesi do të ndiqnin kombëtaren e tyre duke qenë se oraret e ndeshjeve në Amerikën e Jugut përkojnë me periudhën e paradites ku të gjithë janë nëpër shkolla ose në punë.
Pak ditë më parë një vendim i ngjashëm u mor edhe në Brazil, ku të gjithë punonjësit u njoftuan se gjatë ndeshjeve të ekipit “seleçao” puna do të ndërpritej në çdo institucion shtetëror.