Deri më tani skuadra e Laçit është paraqitur si një skuadër pragmatiste, që rrezikon gjithçka për të marrë pikë përballë çdo kundërshtari. Këto rezultate kushtëzohen nga faktorë të rëndësishëm: buxheti I mjaftueshëm për të menaxhuar ekipin dhe merkaton ndryshe nga financat e rënda që kanë Skënderbeu, Kukësi, Partizani dhe Tirana si dhe mungesa e një reparti sulmues solid.
Duke parë statistikat në 5 javët e para të kampionatit, ekipi I drejtuar nga Artan Mërgjyshi ka shënuar 5 gola, ku njëri mban firmën e sulmuesit të larguar Myrto Uzuni drejt Kroacisë. 3 prurjet e merkatos së fundit Najdenov, Altiparmakovski dhe Sukaj akoma nuk e kanë “shkundur” rrjetë në minutat e aktivizuara. Ata nuk kanë debutuar me skuadrën që në fillimin e sezonit pasi kanë mbërritur në afate të vona të merkatos. Për më tepër që shkodrani Sukaj ende nuk ka arriur formën optimale fizike pasi ka një kohë të gjatë pa luajtur. Në këto kushte Laçi ka tentuar të rrezikojë duke mos dalë duarbosh nga asnjë ndeshje. Ndaj Kukësit, Partizanit dhe Skënderbeut kurbinasit janë kthyer në barrierë të pakapërcyeshme duke dalë disi të fituar nga “betejat e disfavorshme”.
Por nëse nuk arrin të ndërtohet reparti sulmues, që të marrë peshën e ekipit përgjatë sezonit Laçi do të jetë I detyruar të eksperimentojë nga ndeshja në ndeshje dhe kjo mund të sjellë çekuilibrim në rezultatet dhe ecurinë në këtë sezon.