Është mbyllur pjesa e parë e ndeshjes së fundit të javës së parë të Kategorisë Superiore. Vllaznia dhe Kukësi në fushën e “Loro Boriçi”-t nuk kanë shkuar më shumë se një barazim 0-0. Skuadrat janë treguar agresive, por edhe mjaft të sigurta në prapavijë, duke mos i lënë shumë hapësira njëra-tjetrës për të shënuar.
Shkëndija e parë lind në minutën e 4-t, ku Shtubina brenda zonës kërkon që të gjejë Bardullën, por ky i fundit nuk kordinohet mirë. Pas këtij momenti Kukësi kërkon që të bëjë më të mirën me Pero Pejiç, i cili në minutën e gjashtë del i vetëm përballë portës së mbrojtur nga Agoviç, por malazezi e ndal kroatin në mënyrën më të pastër.
Takimi ka pasur dhe momente nervozizmi në këtë pjesë të parë, por gjyqtari Enea Jorgji ka dhënë vendime të sakta, duke mos lënë asnjë nga skuadrat të polemizojë.