Ndoshta jeni përgatitur të jeni brenda një teatri, ku përpara jush do të performojnë aktorë të njohur, e keni shumë gabim. Doni të qeshni, por edhe të qani? Atëherë drejtohuni stadiumit “Selman Stërmasi”, aty ku Partizani dhe Kamza përballen me njëra-tjetrën. Në fakt kjo kaloi dhe “Demat e Kuq” i thyen brinjët artificiale për të bërë dhuratën e fundsezonit për “fqinjët” e kryeqytetit, Kamzën.
Ndoshta nuk u mjaftoi që Tirana erdhi në Superiore dhe derbi i vërtetë do të luhet me ata. Por, u dehën përgjatë këtyre javëve nga mediat që e cilësonin sfidën me kamzalinjtë si derbin e kryeqytetit. Arritën të realizonin gjithçka mjaft bukur dhe Vllaznia, “plangprishja” e titullit për Partizanin për vite me radhë sot e sheh veten në Kategorinë e Parë. Askush nuk justifikon gabimet e shkodranëve në këtë sezon futbollistik dhe ndoshta “veshi duhej tërhequr me kohë”.
Ata morën atë që merituan. Po Partizani çfarë mori? Trajneri me ide të mëdha quhet Klevis Dalipi dhe basti i tij ishte pjesëmarrja e skuadrës në Kupat e Europës. Këtë jo vetëm që s’e arriti, por në ekip krijoi pakënaqësi, përplasje dhe grushte. Sot, ndaj Kamzës luajti me një formacion që ndoshta s’e kishte menduar asnjëherë, por ndonjëherë duhet të ndryshosh mentalitetin prej “fituesi” për të mirën e fqinjit.
Xhevahir Sukaj u largua në merkaton e dimrit pas përplasjeve me drejtuesit dhe sot Vllaznia e tij ra në Korçë, jo vetëm në rezultat, por edhe në Kategorinë e Parë. Sapo e ka marrë vesh dhe ndoshta ndihet i tradhëtuar nga shokët e tij. Megjithatë, do ta kuptojë pak më vonë që Partizani i “tij” ka luajtur me disa futbollistë të cilët kishin ndërruar rolet në fushë. Nuk ishin futbollistët që njeh vetë Xhevahiri, pasi për ata kishin menduar drejtuesit e kuq.
Alban Hoxha s’ishte se i dhimbte dora, megjithëse pas një jave luan me Kombëtaren. Idi Batha nuk ishte as në pankinë, kushedi do ketë “harruar” që Partizani ka sot ndeshje. Labinot Ibrahimi është dëmtuar në stërvitje dhe kurrsesi s’mund të ishte në fushë. Lorenc Trashit s’i “mbajnë” më këmbët, Dalipi e largon nga fusha sepse po bënte gjëra që ndoshta s’duheshin. Driblime, pasa të saktë dhe qarkullim loje… Jo, jo tërhiquni prapa sepse vetëm ashtu shënon kundërshtari.
Çdo sportdashës shqiptar sot ndihet i tradhëtuar teksa në fushë pa një Partizan të shtrirë për tokë sepse komandanti kushedi ç’kishte urdhëruar. Është për të ardhur keq, që lojtarë të afruar në merkaton e dimrit, të vlerësuar si e ardhmja e futbollit, qenkan injektuar menjëherë dhe paskan përthithur si duhet (që në fakt s’duhet) ilaçin e kampionatit shqiptar. S’mbetet gjë tjetër veçse të urojmë Kamzën: Ta gëzosh dhuratën e Partizanit. Dhe mos harro, vitin tjetër presim “qoka”. Estradë apo teatër? Quajeni si të doni. Kaq ishte ky sezon i Superiores, elita e kampionatit shqiptar. Dhe mos harroni? Vllaznia shënon 5 gola në 1 ndeshje, gjë që s’e kishte bërë gjithë sezonin. E për më tepër, përballë ekipit kampion. Kaq ishte, kaq…/Retin TOKA/