Janë luajtur vetëm 6 javët e para të Kategorisë së Parë dhe ekipet që duan vendin e parë për të hyrë në fund të sezonit në elitën e futbollit shqiptar janë dy, Kamza në Veri dhe Lushnja në Jug. Të dy ekipet kanë bërë gjithçka, teksa kanë fituar të gjashtë ndeshjet e para.
Lushnja këtë javë “hoqi qafe” një rival të fortë si Bylisi, duke i marrë tri pikët përballë, duke mos lënë që gara të rihapet, ndërsa prova e së vërtetës për Kamzën do të jetë këtë fundjavë në transfertën e Lezhës.
Por, duket qartë që Lushnja tashmë është shkëputur, pasi diferenca me vendin e dytë është 9 pikë, vend që mbahet nga Shkumbini, teksa Bylisi dhe Tomori kanë 8 pikë, pra 10 më pak. Në grupin e Veriut, Kamza ndodhet 4 pikë mbi Besëlidhjen, rivali direkt për kreun, por duhet pritur kjo javë për të parë të vërtetën.
Gara është shuar apo është ndezur, kjo ende nuk është dalluar qartë, por që deri më sot të dy ekipet pretendente janë në rrugën e duhur drejt Superligës. Si Kamza, ashtu edhe Lushnja, kanë vite që nuk marrin pjesë në elitën e futbollit shqiptar.