Luhet ‘El Clasico’ dhe vëmendja e gjithë Botës shkon te dueli mes Barcelones dhe Real Madrid, por edhe te ai mes Messit dhe Ronaldos. Por sonte duket se prozhektorët e stadiumit në ‘Camp Nou’ do drejtohen vetëm te një futbollist dhe ai do jetë Andres Iniesta. Kjo sepse për ‘gjeniun’ spanjoll do jetë klasikja e fundit pasi në përfundim të këtij sezoni, ai do largohet nga Barcelona për të luajtur me shumë mundësi në Kinë.
Një copëz e historisë së ‘El Clasicos’ mbyllet sonte në Barcelonë. Për ‘Don Andres’ është nata e tij dhe ku ka më bukur që ta mbyllësh kundër rivalëve të përjetshëm në stadiumin tënd të dashur. Mbi 700 prezenca me fanellën blaugrana dhe me mbi 70 gola të shënuar sonte përfundon edhe historia e 33-vjeçarit me ndeshjet ‘El Clasico’. Të gjithë në këmbë për njeriun që i dha Spanjës Botërorin dhe për atë që ka qenë ndër më të mirët e brezit të tij.