Sulmuesi i Shakhtyor Soligorskit Elis Bakaj rrëfeu për herë të parë prapaskenat e një tentative për të firmosur me gjigantët e futbollit gjerman Borussia Dortmund. Për median bjelloruse “Tribuna.com”, ish-futbollisti i Partizanit, Dinamos, Tiranës, Kukësit dhe Skënderbeut zbuloi se operacioni u bllokua nga presidenti i Dinamos Besnik Sulaj në vitin 2011.
“Patët një mundësi për të shkuar te Hannover 96?
Shkova atje në verën e 2010 dhe punova me ekipin për një javë. Trajneri i Hannoverit 96 atë kohë Mirko Slomka tha:’ Më pëlqen Bakaj. Duhet të qëndrojë’. Por, drejtori i sektorit atletik ishte kundër. Për më tepër, ata nuk gjetën gjuhën e përbashkët me agjentin tim.
Në 2009 u bëra transferimi më i shtrenjtë brenda kampionatit shqiptar nga Partizani te Dinamo për 100 mijë €. Atë kohë, kisha luajtur shumë ndeshje me Partizanin dhe isha pjesë e kombëtares së Shqipërisë dhe një vit më vonë pata mundësinë të firmosja për Borussia Dortmundin. Por presidenti im (Besnik Sulaj), një njeri vërtet i çmendur donte që Dortmundi të paguante për mua 3 milionë €. Është një histori e vërtetë. U bë publike dhe në Gjermani. Njerëzit shikonin të regjistronin video për Jurgen Klopp (trajner i Borussia në vitet 2008-2015). Informacioni se ai nuk kishte problem që unë të vija te Borussia doli dhe në mediat gjermane, por presidenti i Dinamos pranonte negociata për 2-3 milionë €. Po të shkoja në Gjermani, karriera ime do të merrte drejtim tjetër”, u shpreh Bakaj.
Në Bjellorusi Bakaj është kthyer në njërin prej futbollistëve më të mirë duke realizuar në më shumë se një vit 17 gola në 36 ndeshje në total. Këtë sezon, ai synon të fitojë titullin kampion me Shakhtyorin.