Lionel Messi pavarësisht se u grumbullua nga kombëtarja e Argjentinës për miqësoret e muajit mars, nuk luajti asnjë minutë në ndeshjen kundër Italisë të fituar 2-0 dhe në ndeshjen kundër Spanjës të humbur në shifrat e thella 6-1. Kjo për shkak se ‘pleshti’ vuajti nga një dëmtim dhe nuk donte që të rrezikonte për vazhdimin e sezonit.
Por në Argjentinë ka pasur kritika të ashpra ndaj sulmuesit të Barcelonës për shkak të mos aktivizimit të tij kundër Spanjës. Hugo Gatti, ish-portieri i Boca Juniors i njohur me nofkën ‘El Loco’ (i çmenduri) nuk e ka kursyer aspak Messin. Ai u shpreh: “Messi duhej të luante. Njerëzit donin që ta shihnin Messin. Cristiano Ronaldo do luante në një takim të tillë. Nuk mendoj se Messi e bën ekipin, nuk e besoj diçka të tillë.”