Skuadra e Partizanit është gati për të luajtur në Europa League. Të kuqtë në listën me lojtarët e ftuar, nuk kishin në planet e tyre, një prej transferimeve të merkatos së janarit, mesfushorin serb Milan Culum. Në një intervistë për newsport.al, lojtari tregon se mes tij dhe klubit ka përfunduar gjithçka, sepse pasi janë kthyer nga faza përgatitore në Ohër, 33 vjeçari mësoi se nuk ishte pjesë e projektit Europa League dhe këtu nuk ka dashur të luajë më me fanelën e kuqe.
I përfshirë në listë nuk ishte as sulmuesi Edgar Çani, dhe sipas lojtarit serb, ai nuk ka ndonjë koment për këtë pjesë, vetëm se ka shtuar që Çani është një person dhe lojtar shumë i mirë.
– U larguat nga Partizani. Pse kaq papritur?
Unë kisha një kontratë me Partizanin deri në 30 qershor. Kur ne u kthyem nga Ohri, unë fola me drejtorin Olsi Rama dhe ne nuk ramë dakord për të vazhduar më tej.
– A mund të na thoni se çfarë ndodhi me ju?
Klubi bëri të ditur planet e tij për të ardhmen dhe unë nuk isha pjesë e tyre, pra nuk e gjeta veten time aty.
– Së bashku me ty, gjasat janë që të largohet edhe Edgar Çani. Kush mendon se ka ndikuar që ju mos të jeni në planet e drejtuesve të kuq?
Unë nuk kam ndonjë koment për situatën e Edgar Çanit. Ajo që mund të them është se Çani është një djalë shumë i mirë dhe një lojtar shumë i mirë.
– A u ndatë mirë me Partizanin apo ende nuk jeni shlyer nga klubi i kuq?
Sikurse e thashë, kontrata ime ka skaduar, por klubi ka ende detyrime ndaj meje.
– Sezonin që lamë pas, ti pate shumë pak minuta në këmbë. Cila ishte arsyeja?
Në atë kohë mund të them se ishte vendimi i trajnerit. Aështë e vërtëtë? Faktet flasin vetë. Unë mendoj se duhet të luaja më shumë.
– Lojtarët që janë larguar, kanë akuzuar drejtuesit për moskorrektësinë e tyre. Po ti ç’mund të na thuash?
Unë kisha një marrëshënie të rregullt me drejtusesit e skuadrës.
– E nisët me Starovën, vijuat me Dalipin dhe e mbyllët me Gegën. Nga një përshtypje për secilin prej tyre.
Sikurse e thashë, secili prej tyre merrte vendimin e tij. Unë mendoj se trajneri Gega dhe Marko Jovaniviç mund të japin rezultate të mira, sidomos në veçanti kur tekniku e njohu më mirë atë dhe i dha më shumë hapësirë, gjë që nuk ishte njësoj si me trajnerët e parë, që u larguan nga klubi.
– Cili Partizan mendon se është më i fortë, ky i riu, apo i sezonit që lamë pas?
Rezultatet e sezonit të fundit nuk ishin ato që priteshin. Nuk mendoj se skuadra ka ndryshuar shumë nga sezoni i fundit. Nga lojtarët që kanë luajtur më shumë, vetëm Batha është larguar.
– Ç’të ka bërë më shumë përshtypje në Tiranë?
Në Tiranë ndihem sikurse në shtëpi. Kam vetëm kujtime shumë të mira.
– Po për derbin e kryeqytetit ke dëgjuar?
Për fat të keq nuk e përjetova këtë atmosferë, sa isha në Tiranë.
– Të vjen keq që s’do mund të jesh pjesë e atmosferës së zjarrtë?
Sigurisht, këto janë lojëra që qendrojnë gjatë në mendje.
– Një mesazh për drejtorin Olsi Rama dhe trajnerin Skënder Gega?
Unë iu uroj atyre shumë sukses në Europa League, por gjithashtu edhe në kampionat. /NEWSPORT.AL/