Tashmë nuk mund të flitet më për futboll teksa një ngjarje e rëndë vjen nga kryeqyteti. Sot, klubi i Tiranës ka mësuar ngjarjen e shëmtuar e cila ka ndodhur para pak minutash në kompleksin stërvitor “Skënder Halili”. Newsport.al ka mësuar ekskluzivisht nga burime pranë komisariatit numër 6 se trajneri i skuadrës U-17, Migen Memelli është sulmuar me thikë nga njëri prej prindërve të lojtarëve.
Për newsport.al bëhet e ditur, se shkak është bërë mospërfshirja e futbollistit në fjalë në 11-shen titullare. Fillimisht agresori ka hyrë në fushë, teksa e ka qëlluar Memellin me grushte, por tekniku bardheblu është kundërpërgjigjur për t’u vetëmbrojtur.
Në këtë moment, agresori ka nxjerrë thikën për ta qëlluar, por fatmirësisht Memelli është shmangur duke shpëtuar. Tashmë trajneri bardheblu është në ambientet e komisariatit numër 6 duke bërë kallëzimin për këtë ngjarje tejet të shëmtuar.