Kampionati i volejbollit në vendin tonë ka startuar para dy javësh por edhe ky start i kampionatit ka qenë me vonesë, kjo për shkak se ekipi i Vllaznisë ende nuk kishte vendosur për pjesëmarrjen ose jo në kampionat. Pikërisht kampionët e vendit në fuqi duket se janë sërish në prag të bojkotimit të kampionatit.
Nga burime të sigurta për Newsport.al thuhet se volejbollistët e Vllaznisë ende nuk e kanë marrë shpërblimin për kampionatin e fituar vitin e kaluar. Një tjetër fakt është se volejbollistët shkodranë kanë mbi 7 muaj pa marrë pagat e tyre.
Kampionët kuqeblu të drejtuar nga trajneri Mikopula duket se kanë vendosur të presin deri në datën 1 dhjetor. Në qoftë se shpërblimi nuk vjen deri në atë periudhë ata do kalojnë në bojkot të kampionati, gjë që nuk do ishte e mirë për garën sportive.