Valon Ahmedi është një nga emrat që po qarkullon prej kohësh në merkaton e kësaj vere. Lojtari i kombëtares shqiptare fillimisht u përfol për një kalim të mundshëm te Flamurtari, ndërsa së fundmi ka dalë në skenë Partizani.
Newsport.al ka mësuar se klubi i kuq ka nisur prej kohësh tratativat dhe po tentohet të bëhet një transferim ashtu siç ndodhi me sulmuesin Rubin Hebaj. Klubi i Partizanit kërkon ta huazojë lojtarin me të drejtë blerje në fund të sezonit.
Por, pikërisht këtu qëndron edhe “ngërçi”. 23-vjeçari në qershor të vitit 2019 del lojtar i lirë pasi i përfundon kontrata me klubin e Mariborit. Në këto kushte sllovenët kanë folur me drejtues të klubit të kuq, ku i kanë kërkuar që së paku të paguajnë 40 përqind të kartonit.
Ende nuk ka asnjë zhvillim të ri, ndërsa neësport.al mëson se vetë lojtari ka kërkuar një pagë që kap shifrën e 6 mijë eurove. Pas largimit të Bathës, 15-herë kampionët e vendit janë vënë në kërkim të një numri “10”-tsh. Ahmedi është vlerësuar si i duhuri nga ana e të kuqve që së bashku me emisarët po bëjnë çmos që në sezonin e ri mesfushori të vishet i kuq. /Newsport.al/