Lum Rexhepi është pranë akordit me skuadrën e Partizanit. Largimi i qendërmbrojtësit, Renato Gojkoviç nga të kuqtë, ka lënë bosh vendin në prapavijë dhe tashmë drejtuesit janë në tratativa me 26-vjeçarin që luan në Finlandë.
Burime të sigurta bëjnë me dije për newsport.al që futbollisti në fjalë, i cili ka provuar të luajë edhe me përfaqësuesen e Kosovës, është pranë marrëveshjes me 15-herë kampionët e vendit. Shtatlartësia e tij dhe saktësia në prapavijë kanë bindur stafin teknik që të japë miratimin për transferimin e tij në kryeqytet.
Megjithatë ende s’ka asgjë zyrtare, pasi fillimisht lojtari duhet të prishë kontratën në Finlandë, ku aktivizohet me skuadrën e Kups. 26-vjeçari ka një karrierë të pasur teksa ka luajtur kryesisht në Finlandë, por edhe në Norvegji me Lilestrom dhe në Hollandë me Go Ahead Eagles.
Kujtojmë që deri më tani, tek të kuqtë janë zyrtarizuar Fatjon Jusufi, Dilaver Duka dhe Alesio Hyseni. Ndërkohë pritet të mbyllet me sukses dhe tratativa me sulmuesin ganez, Karikarin, si dhe mbrojtësin Rexhepin. Bisedimet vijojnë ende për Hektor Idrizajn, lojtar që është kërkuar me këmbëngulje nga trajneri Skënder Gega. /Newsport.al/