Shkëndija e Tetovës është në kërkim të një trajneri prej dy javësh. Opsionet nga tregu shqiptar janë parë me vëmëndje nga drejtuesit e klubit shqiptar në Maqedoni por asgjë nuk është bërë. Pak kohë më parë Mirel Josa ka marrë një ofertë konkrete nga Shkëndija për një shifër tepër të lartë. Rreth 13 mijë euro në muaj do të përfitonte Josa në rast se do ti thoshte po skuadrës nga Tetova.
Nuk bëhet fjalë vetëm për pagesën mujore, por dhe për premio në rast fitores, barazimesh, suksesi në Kupën e Maqedonisë, titullin kampion si dhe kualifikimin në turet e Europës. Në total kaq do të llogaritej rroga mujore nëse gjërat do të ecnin mirë për Josën.
Kjo ka qenë oferta e propozuar nga një përfaqësi e klubit të Shkëndijës për trajnerin Josa. Ky i fundit e ka pranuar edhe publikisht tratativën me klubin tetovar por pa dhënë detaje. Burime konfidenciale zbulojnë se Josa ka dëshiruar Tiranën dhe klubin bardheblu duke mos preferuar të qëndroj më larg kryeqytetit pas katër vitesh në Korçë.
Tekniku më i titulluar në Shqipëri dje ka marrë drejtimin e Tiranës dhe sot do të nisë zyrtarisht punën me skuadrën bardheblu.