Zërave për largimin e mundshëm të sulmuesit Realdo Fili nga Skënderbeu u është përgjigjur menaxheri i 22-vjeçarit Elton Marini. Në një prononcim për Newsport, agjenti i njohur theksoi se sulmuesi fierak është paraqitur sot në seancën e parë stërvitore të 2019 me Skënderbeun dhe palët po mendojnë zgjidhjen e kontratës së Filit pasi nuk është aktivizuar mjaftueshëm në këtë pjesë të parë të sezonit. Në këtë mënyrë, pritet vetëm konfirmimi i klubit korçar për ndërprerjen e kontratës së Filit.
“Fili është paraqitur sot në stërvitje. Por kemi diskutuar zgjidhjen e kontratës, sepse Fili nuk po merr minutat e duhura”, shprehet Marini.
Fili erdhi si përforcim premtues i Skënderbeut nga Kamza, por ai nuk është aktivizuar si titullar në ndeshjet e këtij sezoni në kampionat duke marrë pak minuta. Në 12 takime (kampionat dhe Kupë e Shqipërisë) 22-vjeçari ka shënuar vetëm një gol.