Ishte planifikuar një ndeshje me bukurinë e një finaleje ajo mes Tiranës dhe Vllaznisë në basketboll për meshkuj. Në pallatin e sportit “Asllan Rusi” gjithçka ishte gati për të startuar, por një ngjarje e rëndë jashtë saj u mësua pak para fillimit të takimit. Tifozët bardheblu ishin konfrontuar fizikisht me disa mbështetës shkodranë, të cilët kishin përfunduar të plagosur në spital. Disa të tjerë kishin mundur të hynin brenda ambienteve të pallatit me dëshirën për të mbështetur ekipin shkodran. Por edhe aty pati një situatë kaotike dhe në fund u vendos që kjo finale të anulohej. Për të mësuar më shumë rreth kësaj ngjarje të rëndë të ndodhur në basketbollin shqiptar, newsport.al kontaktoi kapitenin e skuadrës së Vllaznisë, Ervin Berdicën. Berdica shpjegoi se çfarë kishte ndodhur dhe sigurisht i tronditur nga kjo situatë ai i bën thirrje të gjithë tifozëve shqiptarë që të ulin gjakrat dhe në fund të ndeshjeve të tregojnë vëllazëri mes tyre.
– Ervin, pse gjithë ai tension në një ndeshje të rëndësishme si kjo e sotmja?
Nuk di! Nuk di çfarë të them. Nuk e kuptuam se si ndodhi dhe pse ndodhi. Ishim të përgatitur për të nisur ndeshjen dhe të gjithë çunat ishim në formë optimale.
– Keni dijeni se si nisi sherri mes tifozëve shkodranë dhe atyre të Tiranës?
Me sa pashë unë, tifozët shkodranë nuk ishin fare të organizuar. Ishin të gjithë familjarë tanë. Jashtë pallatit të sportit “Asllan Rusi” nuk kemi parë gjë, por brenda tifozët e Tiranës mësynë në tribunën e tifozëve tanë.
– Kishit frikë në ato momente? Menduat se situata do të merrte përmasa më të mëdha?
Në fillim se kuptuam. Më pas u frikësuam të gjithë pasi në shkallët e pallatit të sportit kishim familjarët tanë. Tifozët e Tiranës po na gjuanin me kanaçe të mbushura me çakmak, shishe etj derisa u afruan për t’u kapur edhe fizikisht.
– Gjithë ai tension i krijuar, po policia nuk ndërhyri?
E vërtetë që tensioni ishte mjaft i madh. Në ato momente unë kam parë 4-5 policë, jo më shumë. Aq policë nuk kishin çfarë të bënin.
– Janë plagosur disa tifozë shkodranë. Jeni në dijeni? Si është gjendja e tyre?
Po jemi në dijeni dhe në emër të gjithë skuadrës i urojmë shërim sa më të shpejtë. Dua t’iu tregoj që tifozëve tanë u është bërë pritë jashtë pallatit të sportit. Aty janë konfrontuar me tifozët bardheblu, ku disa prej tyre kanë mbetur të plagosur duke u dërguar me urgjencë në spital.
– Pra, gjithë kjo situatë mendoni se ishte planifikuar nga ultrasit bardheblu?
Këtë se di, të them të drejtën. Di vetëm që iu kanë dalë pritë. A ishte organizim i mirëfilltë apo jo, se di.
– Ju vendosët të mos dilnit në parket për shkak të kushteve të krijuara. A mendoni se kjo do t’iu penalizojë?
Nuk mund të luhej në ato kushte. Ka rregullore të qarta në lidhje me këto incidente.
– A do të ndikojë kjo situatë në ndeshjen tjetër apo kjo ju bën më të fortë?
Nuk do të ndikojë aspak, pasi sporti duhet t’i bashkojë njerëzit dhe jo t’i ndajë. Sporti është vëllazëri. Në radhë të parë duhet të rregullojmë këtë dhe dua të them që është e papranueshme që të hasen të tilla incidente në kohët e sotme. Tifozëria shkodrane është mjaft e respektuar dhe gjithashtu edhe ultrasit e Tiranës, pavarësisht çfarë ndodhi sot. Për sa i përket fushës le të fitojë më i miri. Ne jemi në 100 për qindëshin tonë.
– Ke diçka për t’i thënë tifozëve tuaj?
Asgjë sepse janë të mrekullueshëm. Lus Zotin ta fitojmë Superkupën dhe kampionatin dhe t’ia dedikojmë atyre.
– Po një mesazh për ultrasit bardheblu?
Sporti është vëllazëri. Në radhë të parë jemi të gjithë njerëz. Në radhë të dytë jemi shqiptarë. Uroj mos të përsëritën më për të mirën e sportit, pasi vetë ata vijnë e kënaqen dhe duartrokasin. I ftoj të mbështesin ekipin e tyre dhe në fund t’i japim dorën njëri-tjetrit pasi jemi vëllezër shqiptarë. /Retin TOKA/ NEWSPORT.AL/