Aldo Teqja u transferua pak javë më parë te Kukësi, ndërsa u prezantua me bujë, duke qenë se është një portier me talent dhe mbi të gjitha me të ardhme të sigurt dhe të dhëna të mira.
Portieri i Shpresave kuqezi, që ishte titullar dy ditë më parë në sfidën kundër Greqisë, tashmë ka kaluar në plan të tretë te verilindorët, sepse siç mësohet, Teqja nuk llogaritet as si portier i dytë te Kukësi.
Një zgjedhje kjo e trajnerit Ernest Gjoka, që ka gjithë kompetencat e nevojshme për ta marrë një vendim të tillë, si numri 1 i stolit të skuadrës verilindore.
Por çudi është fakti që Aldo Teqja ka dalë i humbur nga lufta për një vend titullari, ende pa nisur sezoni, jo vetëm me Enea Koliçin, por edhe me Ervis Kocin, “gardianin” që mban veshur fanellën e Kukësit që nga viti 2009 dhe që ka qenë pjesë e historisë së ekipit duke filluar nga Kategoria e Parë e duke vazhduar me sukseset në Kupat e Europës, fitimin e Kupës së Shqipërisë dhe Superkupës.
Tashmë mbetet për t’u parë se cila do të jetë e ardhmja e portierit të talentuar, i cili është në pronësi të Kukësit, por sidoqoftë nuk do të pranojë të përfundojë të tribunë.
Newsport.al mëson së titullari i Shpresave kuqezi do të huazohet në ndonjë skuadër tjetër, por gjasat janë që Aldo Teqja të përfundojë në Kategorinë e Parë, duke qenë se skuadrat e Superiores janë formatuar tashmë.