Ishte një nga lojtarët më të përfolur në merkaton e verës. Njëherë e “lanë” te Partizani, më pas e “çuan” në Greqi, por në të vërtetë përfundoi në Vlorë te Flamurtari. Idriz Batha, mesfushori i njohur i kampionatit shqiptar rikthehet të premten në kryeqytet, por këtë herë do të luajë kundër ekipit në të cilin u rrit, Partizanit. Vetëm disa muaj larg të kuqve, ai di të ndajë më së miri profesionalizmin me ndjenjat e tij.
Në një intervistë enkas për newsport.al, 26-vjeçari ka folur për situatën aktuale të Flamurtarit, sfidën e së premtes ndaj Partizanit dhe në fund nuk ka lënë pa përmendur edhe diferencat mes dy trajnerëve, Ilir Daja dhe Skënder Gega. Çfarë thotë Idi për të dy? Më poshtë iu ftojmë të lexoni mendimet që ndau Batha me ne, para sfidës me Partizanin.
– Idi të premten riktheheni në “shtëpinë” e vjetër, atë të Partizanit. Si ndiheni që do të luani me një fanelë tjetër dhe jo atë të kuqen?
Sigurisht është një ndeshje me ndjenjë të veçantë për mua që të luaj kundër ekipit që kam kaluar shumë vite si futbollist. Edhe si fëmijë kam luajtur me fanelën e Partizanit. Megjithatë tashmë jemi profesionistë, edhe sigurisht e rëndësishme është të bëj detyrën me ekipin tim aktual. Shpresoj të fitojmë ne.
– A mendon se Flamurtari do të arrijë të triumfojë përballë të kuqve?
Në këtë kampionat, ekipt nuk kanë diferenca të mëdha dhe çdo ndeshje ka vështirësitë e veta. Sidoqoftë, besoj se kemi potencialin e duhur për të fituar kundër Partizanit.
– Humbja me Skënderbeun ka ulur “dozat” e optimizmit në Vlorë. Si po iu përgatit trajneri Daja për këtë sfidë që minimalisht duhet marrë 1 pikë?
Humbja me Skënderbeun sigurisht ishte diçka jo e mirë, por është ende fillimi dhe absolutisht nuk është vendimtare. Madje na bën të jemi me këmbë në tokë, edhe të punojmë akoma më shumë për t’u përmirësuar.
– Të gjithë presin më shumë nga ky Flamurtar. Çfarë duhet ndryshuar?
Flamurtari besoj se është në rrugën e duhur. Siç e thashë është ende fillimi, edhe ekipi është formatuar nga fillimi. Sa më shumë të luajmë bashkë, aq më shumë do përmirësohemi.
– Shkallët e “Selman Stërmasit” priten të jenë plot me ata që ti ke një lidhje të ngushtë, Guerrilsat. A do jetë e vështirë të luash përballë si kundërshtar i tyre?
Për sa i përket tifozëve të Partizanit, aq më tepër tifo-grupit, Guerrils, dua të them që kemi ndarë shumë emocione së bashku. Sigurisht që nuk harrohen, por e thashë edhe më sipër që jemi profesionistë dhe paguhemi për të luajtur e për të bërë më të mirën për fanelën që mbajmë veshur.
– Nëse shënon, do festosh?
Sigurisht që jo!
– Daja apo Gega?
Unë me Gegën kam punuar shumë pak në Kombëtare. Sigurisht që është trajner me vlera, por për të bërë krahasime, flasin statistikat.
– Batha apo Telushi?
Futbolli është sport kolektiv. As Batha dhe as Telushi nuk e shpëtojnë dot 1 ekip. Sa i përket Telushit, është nga më të mirët edhe si lojtar. Edhe si shok e respektoj sepse ka bërë vend në futbollin shqiptar. / Retin TOKA/