Ernest Muçi është një nga lojtarët që shkëlqeu në pjesën e dytë të sezonit të shkuar me skuadrën e Tiranës. Edhe pse u aktivizua vetëm në 11 ndeshje, cilësitë e tij u vunë re në fushën e blertë. Arriti të shënonte 3 gola dhe shihet si e ardhmja e 24-herë kampionëve. Mosha e tij e re dhe saktësia para porte kanë bërë optimistë drejtuesit e Tiranës, por jo vetëm.
Newsport.al ka mësuar se menaxheri i njohur, Shkumbin Qorrmemeti ka marrë të drejtat e përfaqësimit të 17-vjeçarit. Madje bëhet e ditur që ai po punon që ta transferojë talentin bardheblu në një ekip prestigjoz në Europë. Zvicra dhe Belgjika janë dy destinacionet e mundshme.
Një lajm i mirë ky edhe për klubin e Tiranës që në të ardhmen mund të mbushë arkat me shitjen e sulmuesit kryeqytetas. Kujtojmë që Ernest Muçi është lojtar i dalë nga Akademia e Tiranës. Tashmë e ardhmja e tij duket e “Artë”. /Newsport.al/