Nesër Partizani do të niset drejt Ohrit ku do të zhvilojë një mini-fazë përgatitore në kuadër të Europa League. Të gjithë po presin të shohin listën e lojtarëve të grumbulluar, ndërsa newsport.al ka mësuar ekskluzivisht nga burime të sigurta pranë klubit se nuk janë përfshirë për fazën përgatitore, Alban Sulejmani dhe Emran Ramadani. Dy talentët e kuq shiheshin si lojtarët që do të mbanin peshën e mesfushës, por sonte vjen ky lajm i papritur nga 15-herë kampionët e Shqipërisë.
Arsyeja nuk dihet se pse trajneri Gega nuk ka preferuar t’i marrë me vete, megjithatë orët e ardhshme do të zbulojnë se çfarë ka ndodhur mes tyre. Me sa duket dy futbollistët nuk janë në planet e stafit teknik dhe me shumë gjasë bashkëpunimi mes palëve është mbyllur këtu. Kujtojmë që Ramadani dhe Sulejmani u afruan te Partizani në merkaton e dimrit, por fazën përgatitore të ekipit të tyre janë të detyruar ta ndjekin përmes mediave, pasi trajneri Gega i ka lënë jashtë listës së grumbullimit. /Newsport.al/