Nesër, do të luhet kryendeshja e javës së 12-të të Superiores. Skuadra e Tiranës do të presë në stadiumin “Selman Stërmasi” Kukësin, sfidë mjaft e rëndësishme për të dy ekipet. Duke parë rëndësinë e takimit, klubi bardheblu ka kërkuar gjyqtar që mban stemën e FIFA-s.
Newsport.al ka mësuar nga burime të besueshme pranë Federatës Shqiptare të Futbollit se arbitër kryesor i këtij takimi do të jetë elbasanasi Enea Jorgji, së bashku me dy ndihmësit e tij Ridigert Çokaj dhe Ermal Barushi. 34-vjeçari mban stemën e FIFA-s dhe ka eksperiencën e nevojshme për të drejtuar një sfidë të një niveli të tillë.
24-herë kampionët e vendit kanë pasur pretendime për gjykimin në ndeshjet e fundit e në të tilla kushte është parë e udhës që të kërkohet një arbitër i vlerësuar nga institucioni më i lartë i futbollit, FIFA. Kujtojmë që ndeshja Tirana – Kukësi luhet nesër, në orën 18:00, në stadiumin “Selman Stërmasi” në kryeqytet. /Newsport.al/