Armando Cungu do të lërë drejtimin e Vllaznisë në fund të sezonit. Ashtu siç është përfolur në media ditët e fundit, tekniku shkodran do të vijë në kryeqytet për të drejtuar Partizanin.
Ende nuk është përcaktuar se kush do të vendoset në krye të pankinës së Vllaznisë, por burime të afërta pranë klubit shkodran kanë bërë me dije për newsport.al që Elvis Plori do të jetë trajneri i kuqebluve për sezonin e ardhshëm. 40-vjeçari e ka drejtuar edhe më parë Vllazninë në sezonin 2011-2012, ndërsa edicionin e ardhshëm ai do të rikthehet sërish në “Loro Boriçi” për të marrë drejtimin e ekipit shkodran.
Kujtojmë që në sezonin 2011-2012, Vllaznia e mbylli sezonin në vendin e gjashtë me 35 pikë nën drejtimin e Elvis Plorit. Ndërkohë që në këtë sezon shkodranët me në krye Armando Cungun po synojnë të kapin një vend në Kupat e Europës. Teksa kanë mbetur edhe 8 javë për t’u luajtur, Vllaznia mban vendin e katërt me 36 pikë e ndjekur nga Luftëtari me pikë të barabarta.
Newsport.al ka mësuar gjithashtu se bisedimet e klubit të kuq me teknikun Cungu kanë nisur, megjithatë ende nuk ka një ofertë zyrtare në drejtim të tij. Trajneri aktual i Partizanit, Sulejman Starova pritet të zhvendoset në postin e këshilltarit të presidentit Demi, ndërsa trajneri shkodran, Armando Cungu të bëhet trajneri i skuadrës.