Shorti i parë i raundit eliminator është hedhur dhe ekipet janë njohur tashmë me kundërshtarët. Por ende pa kaluar shumë kohë, kanë nisur aludimet për përballje të mundshme në raundin e dytë të Champions League-ës. Nëse skuadra azere e Qarabagut skualifikon Olipmpijan e Lubjanës, pritet të ndeshet më tej me Kukësin, i cili ka shanse më të mëdha për t’u kualifikuar pasi ka një kundërshtar tejet modest si Valetta. Pra do të kemi një duel interesant shqiptarësh midis mbrojtësit të kombëtares sonë Ansi Agolli që luan prej vitesh në Azerbajxhan me kampionët e Qarabag dhe Kukësit, që merr pjesë për herë të dytë në turneun e klubeve më të mira të Europës pas penalizimit të Skënderbeut.
Shanset rriten dhe për Shkëndijën e Tetovës që parashikon si kundërshtar më tej moldavët e Sheriff Tiraspolit, që luajnë me gjeorgjianët e Torpedo Kutaisit. Sheriff ka qenë dhe kundërshtar i vitit i kaluar me Kukësin dhe verilindorët u penalizuan nga një penallti e humbur dhe dy goditje në shtyllë.