Kosova bëri një paraqitje historike ndaj Maltës duke treguar muskujt. Përfaqësuesja e drejtuar nga zvicerani Bernard Challandes dominoi totalisht nga minuta e parë deri në fund miqtë maltezë. Përfaqësuesja e re, e cila ka ambicie të mëdha për të ardhmen fitoi dje një yll të padiskutueshëm. Mesfushori i djathtë i Zyrihut Benjamin Kololli ishte aktori kryesor që organizoi në mënyrë perfekte “show”-n e djeshëm në teatrin “Fadil Vokrri”.
Edhe pse Challandes e vendosi në krahun e djathtë të mbrojtjes, Kololli ishte i papërmbajtshëm me shpërthimet e tij nga krahu.
Jo më kot ai është titullar te Zyrihu, ku deri tani ka regjistruar plot 3 gola dhe 3 asiste për skuadrën e kryeqytetit të Zvicrës.
26-vjeçari është kthyer në lider te klubit dhe tashmë te Kosova ai po i krijon hapësirë vetes duke lënë në hije Rashicën, Zhegrovën, Berishën dhe Kastratin. Tashmë Kosova duhet të festojë pasi ka në radhët e veta, një futbollist që është I gatshëm të sakrifikojë gjithçka për përfaqësuesen dhe tifozët e zjarrtë.