Kosova luajti kundër Kroacisë në stadiumin “Loro Boriçi” në 6 tetor, ndeshje e vlefshme për eliminatoret e Botërorit “Rusi 2018”. Një nga tifozët e përfaqësueses së Kosovës humbi kuletën e tij në këtë impiant. Ai quhet Blondi Smërqaku dhe është tifoz i skuadrës së Gjilanit në Kosovë. Por, sot atij i është kthyer kuleta së bashku me dokumentet. Smërqaku ka treguar se si iu kthyer kuleta e tij pas dy muajsh:
“Në ndeshjen Kosovë – Kroaci e luajtur në Shkodër më kishte humbur kuleta me gjithë dokumentat që ishin në të. Pas katër ditësh më shkruan në Facebookun tim një zonjë shumë bujare, doktoresh, e cila më lajmëron se është gjetur kuleta ime dhe më ndihmoi t’i kem prapë dokumentet. Ajo është Margaret Lleshi Guraziu, të cilën e falënderoj shumë bashkë me kolektivin e saj”, përfundoi tifozi për Gazetën Sheshi.